MPJD dhe shoqata “Nënë Tereza” nënshkruajnë marrëveshje për t’i dërguar ndihmat humanitare në Ukrainë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka zyrtarizuar marrëveshjen me Shoqatën Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza”, për ofrimin e ndihmës humanitare dedikuar popullit të Ukrainës, viktima të agresionit ushtarak rus.

Në njoftim bëhet e ditur se marrëveshja është nënshkruar nga zëvendës-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Behar Isma, dhe drejtori i Shoqatës “Nënë Tereza”, Zef Shala.

Kjo marrëveshja e pason vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ndarjen e 100 mijë eurove për blerjen e kontingjentit të parë të ndihmave humanitare për popullin e Ukrainës.

Me këtë marrëveshjet palët janë dakorduar që Shoqata Bamirëse “Nënë Tereza” të bëj përgatitjen e pakos humanitare me produkte esenciale nga Republika e Kosovës, dhe më pas, me partnerët e saj ndërkombëtarë të shpërndaj këto ndihma në shtetet ku refugjatët ukrainas janë duke u strehuar.

Pakoja humanitare do të përmbajë produkte esenciale që përfshijnë higjienën dhe kujdesin personal, akomodim dhe ushqime. Blerja, paketimi vendosja e shenjave dalluese të Republikës së Kosovës, dhe nisja e pakove humanitare do të bëhet brenda 20 ditëve në vijim.

Sekretari Isma dhe drejtori i Shoqatës, Shala kanë theksuar se janë të kënaqur që ky proces tashmë është finalizuar dhe që Republika e Kosovës do të kontribuojë sadopak në mirëqenien sociale të popullit të Ukrainës që po përballet me agresionin e Federatës Ruse.

Go to TOP