MPB: Shtetasi N.V humb shtetësinë e Kosovës për shkak të cenimit të sigurisë kombëtare
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës ka nxjerrë vendim për humbjen e shtetësisë me privim ndaj shtetasit N.V, për shkak të cenimit të sigurisë kombëtare.
Ky vendim është marrë në bazë të Ligjit Nr. 04/L-125 për shtetësinë e Kosovës, si dhe Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 06/2019 për Procedurën e Humbjes së Shtetësisë së Kosovës me Lirim dhe Privim, pas shqyrtimit të rekomandimit nga Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, N.V, i cili është gjithashtu shtetas i Serbisë, ka qenë i angazhuar në aktivitete që përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës, duke vepruar si pjesëtar i forcave të policisë së Serbisë. Ky angazhim është bërë pa miratimin e organeve kompetente të Kosovës dhe në mungesë të ndonjë marrëveshjeje ndërkombëtare, siç kërkohet me legjislacionin në fuqi.
MPB ka theksuar se mbetet e përkushtuar, përmes agjencive të saj dhe në koordinim me institucionet e tjera të sigurisë, për të garantuar zbatimin e rendit dhe ligjit si dhe për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. /Kosova.info/
