Mosformimi i Qeverisë, Kosova përballet me krizë politike dhe pasiguri institucionale
Propozimi i mandatarit Albin Kurti për një mandat të ri katërvjeçar nuk mori përkrahjen e nevojshme prej 61 votash në Kuvendin e Kosovës. Me 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi nuk e zgjodhi Qeverinë e re të Republikës së Kosovës. Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, deklaroi se përgjegjësia tani kalon te presidentja Vjosa Osmani dhe i mbylli punimet e seancës
Krasniqi: Kriza politike mund të sjellë pasoja shumëdimensionale

Analisti dhe gazetari i karrierës, Ilir Krasniqi paralajmëron pasojat shumëdimensionale të mosformimit të qeverisë në Kosovë. Sipas tij, mungesa e një qeverie stabile dhe mundësia e zgjedhjeve të reja pritet të krijojë një periudhë pasigurie politike, ku tensionet mes partive dhe grupeve të interesit mund të thellohen edhe më tej.
“Veçanërisht shqetësuese mbetet fakti se as forcat opozitare nuk kanë arritur ende të gjejnë një gjuhë të përbashkët për bashkëqeverisje”, thotë Krasniqi.
Sipas tij, në aspektin ekonomik, mosfunksionimi i institucioneve rrezikon pengimin e miratimit të buxhetit të shtetit, gjë që mund të sjellë vonesa në financimin e projekteve publike, pagesat e sektorit publik dhe uljen e cilësisë së shërbimeve shtetërore, veçanërisht në arsimin, shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale.
“Pasiguria politike gjithashtu mund të dekurajojë investimet vendore dhe të huaja, të ngadalësojë projektet infrastrukturore dhe rritjen ekonomike, dhe të përkeqësojë kushtet për marrjen e kredive nga institucionet financiare ndërkombëtare, duke rritur kostot e huamarrjes për vendin”, tha Krasniqi për Kosova.info.
Në përfundim, Krasniqi nënvizon se kjo krizë institucionale nuk është vetëm një çështje politike, por një sfidë e shumanshme që godet drejtpërdrejt stabilitetin dhe mirëqenien e qytetarëve.
Kastrati: Presidentja duhet të ndërhyjë dhe të konsiderojë shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Analisti Visar Kastrati nënvizon se duke parë mungesën e rezultateve nga Kurti, Presidentja Osmani duhet të ndërhyjë bazuar në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe t’ia heqë të drejtën për mandatin Kurti duke e dhënë atë partisë së dytë me një afat prej 15 ditësh për të arritur marrëveshje.
“Nëse edhe kjo nuk sjell rezultate, Presidentja duhet të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme pa vonesë”, tha Kastrati, për Kosova.info.
Ai tha se kriza e tanishme institucionale paraqet një sfidë të shumanshme, që ndikon drejtpërdrejt stabilitetin dhe mirëqenien e qytetarëve. /Kosova.info/
