Morina: Kurtit i zbulohet roli i ri – ‘Kukulla e mafisë energjetike’
Gazetari Idriz Morina ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti duke e akuzuar për financim të strukturave energjetike serbe dhe për rolin e tij, të cilin e quan “kukull e mafisë energjetike”. Sipas Morinës, ky është një rol që Kurti vetë ua kishte atribuuar politikanëve të mëparshëm sa ishte në opozitë, por që sot, sipas tij, po e luan vetë.
Morina përkujton deklaratat e Kurtit në kohën e opozitës, kur akuzonte vartësit e Hashim Thaçit për dhënien e tenderëve Vuk Hamoviçit, të cilin ai e lidh me figurat më të errëta të aparatit shtetëror serbo-jugosllav, përfshirë shefin e dikurshëm të shtatmadhorisë dhe strukturat e lidhura me Aleksandër Rankoviçin. Morina rikujton se Rankoviçi është përgjegjës për krime të rënda ndaj shqiptarëve, përfshirë mijëra të vrarë e masakruar, si dhe deportimin e mbi 360 mijë shqiptarëve drejt Turqisë.
Gazetari pretendon se e njëjta linjë, Hamoviç-Rankoviç,– po financohet sot nga shteti i Kosovës nën qeverisjen Kurti, madje me shumëfishim të fitimeve. Morina pohon se fitimet e Hamoviçit janë rritur nga dhjetëra miliona në qindra miliona euro duke arritur mbi 800 milionë euro gjatë katër viteve të fundit.
Ai shton se ndonëse Kurti deklaron se nuk e do Listën Serbe, financimet e kompanive të lidhura me strukturat serbe po vazhdojnë, madje sipas tij, po forcohen me vendime të KQZ-së.
Në përfundim, Morina thekson se gjatë një debati në T7, gazetarja Janina Imeri nxori në pah këtë kontradiktë duke e cilësuar rolin e ri të kryeministrit “Albin ‘sovrani’, Kukulla e mafisë energjetike”.
Në këtë mënyrë, sipas Idriz Morinës, Kurti nga kritiku më i zëshëm i strukturave serbe në energjetikë, është shndërruar në njeriun që po i fuqizon ato financiarisht. /Kosova.info/
