Mblidhet qeveria, merr tri vendime për Buxhetin

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar sot një mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar disa vendime që kanë të bëjnë me Buxhetin e Republikës.

Vendimi i parë ka të bëjë me miratimin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve për vitet 2025-2027, e cila thuhet se që paraqet dokumentin kryesor mbi bazën e të cilit do të hartohet Buxheti Vjetor për vitin 2025.

“Qëllimi kryesor i KASH-it është që të ofrojë një analizë të bazuar të mjedisit makroekonomik në vend, për të vendosur kështu bazën për planifikimet buxhetore për vitet që vijnë në përputhje me prioritetet strategjike të Qeverisë”, tha Qeveria në njoftimin për media.

Më tej thuhet se është miratuar edhe raporti tremujor i Buxhetit për vitin 2024, i cili thotë se përmban një përmbledhje të trendëve kryesorë të të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore përgjatë periudhës së këtij tremujori të vitit 2024.

“Raporti përmban edhe analiza përmbledhëse të periudhës përkatëse, pasqyron të hyrat sipas institucioneve mbledhëse në nivelin qendror dhe lokal, detaje mbi të hyrat sipas llojit të tatimeve, si dhe krahasimet me periudhat paraprake dhe projeksionet buxhetore”, thotë Qeveria.

Ndërsa si vendim të fundit, Qeveria e ka miratuar Programin e Borxhit Shtetëror për vitet 2025-2027.

“Në këtë dokument pasqyrohen zhvillimet e fundit në parametrat e borxhit shtetëror, vlerësohen rreziqet kryesore që ndërlidhen me strukturën e borxhit shtetëror dhe përcaktohen objektivat afatmesme të menaxhimit të borxhit shtetëror”, theksoi Qeveria në komunikatë.

Go to TOP