Meta: Pasaporta e artë me të njëjtin koncept si Ballkani i Hapur, Rama në largim

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se dhënia e shtetësisë me koncension, ka të njëjtin koncept si Ballkani i Hapur, ku politikanët që janë në krye të këtyre proceseve, përfitojnë financiarisht në kurriz të qytetarëve.

Në një deklaratë për mediat, Meta u shpreh se kryeministri Edi Rama është në largim dhe se këtë gjë ai e di mjaft mirë.

“Kjo çështja e pasaportave të arta apo të florinjta është sipas koncepteve të tij të Ballkanit të Hapur, ku ka rëndësi që ata që janë në krye të këtij procesi, të krijojnë për veten e tyre sa më shumë mundësira dhe hapësira për përfitime ekonomike dhe financiare, në kurriz të vlerave evropiane dhe sogurisë kombëtare.
Nuk është hera e parë që Bashkimi Evropian ngre një shqetësim. Ky duke qenë se është në një proces largimi dhe këtë ai e di më mirë sesa kushdo tjetër, padyshim që përpiqet të përfitojë personalsisht për veten e tij dhe për klanin e tij. Kjo është një nismë për të bërë marrëveshje me persona që kanë para dhe duan t’i pastrojnë”, theksoi Meta.

Qeveria shqiptare po kërkon investitorë të huaj të cilët mund të sjellin paratë e tyre në Shqipëri dhe të përfitojnë shtetësinë shqiptare. Përmes një VKM-je, qeveria ka vendosur që një pjesë të procedurave t’i japë me koncension.

Por Bashkimi Evropian ka shprehur rezerva lidhur me aplikimin e pasaportës se arte. Euronews Albania ka pyetur zyrën e shtypit të BE, lidhur me këtë nismë të qeverisë.

Ana Pisonese zëdhënëse e Komisionit Europian, deklaroi se këto projekte rrezikojnë përfshirjen e krimit të organizuar dhe skemat e pastrimit të parave. /Euronews Albania/

Go to TOP