Mjeku i akuzuar për vdekjen e Matthew Perry pranon fajësinë për shpërndarjen e paligjshme të ketaminës

Një nga dy mjekët nga Kalifornia, të cilët janë ndër pesë të akuzuarit për vdekjen e yllit të serialit “Friends”, Matthew Perry, nga mbidoza, ka pranuar fajësinë të mërkurën për shpërndarje të paligjshme të ketaminës.

Mark Chavez e pranoi fajësinë në Gjykatën e Qarkut të ShBA-së në Los Angeles. Gjatë dënimit, ai mund të përballet me deri në 10 vjet burg.

Një tjetër mjek i akuzuar në këtë rast, Salvador Plasencia, është deklaruar i pafajshëm, po ashtu si edhe e bashkë-akuzuara Jasveen Sangha, e njohur si “mbretëresha e ketaminës”.

Asistenti personal i Perry-t, Kenneth Iwamasa, i cili pranoi se i kishte injektuar ilaçin Perry-t, dhe një ndërmjetës i pretenduar që kishte marrë ketaminën nga Sangha, tashmë janë deklaruar fajtorë për akuzat me të cilat përballen.

Autoritetet thonë se Plasencia, në mesazhet që i dërgoi Chavez-it për të caktuar çmimin që do t’i ngarkohej Perry-t për ilaçin, shkroi: “Pyes veten sa do të paguajë ky budalla”.

Plasencia i kishte përshkruar ketaminë Perry-t dhe kishte furnizuar asistentin që i kishte injektuar ilaçin, sipas dokumenteve gjyqësore.

Perry vdiq në moshën 54-vjeçare në tetor 2023 nga efektet akute të ketaminës dhe faktorë të tjerë që çuan në humbjen e ndjenjave dhe mbytjen në një vaskë me xhakuzi, sipas autopsisë të dhjetorit 2023.

Aktori kishte pranuar publikisht dekada të abuzimit me substanca të ndryshme, përfshirë vitet kur luante si Chandler Bing në serialin e njohur të viteve ’90, “Friends”.

Go to TOP