Aksion në Vushtrri, arrestohen katër persona për disa vepra penale

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në koordinim me Policinë e Kosovës – Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka realizuar sot në orët e hershme një operacion policor në Vushtrri.

Me urdhër të Gjykatës Themelore në Mitrovicë – dega Vushtrri, janë kontrolluar gjithsej tre lokacione, dy në fshatin Ropicë dhe një në qytetin e Vushtrrisë, që lidhen me katër persona të dyshuar.

Si rezultat i këtij aksioni, janë arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale “Detyrimi”, ndërsa është ndaluar edhe një tjetër që kishte qenë në arrati për veprat “Lëndimi i lehtë trupor” dhe “Arratisja e personave të privuar nga liria”.

Me vendim të prokurorit të rastit, të katër të pandehurit janë ndaluar për 48 orë, ndërkaq Prokuroria ka njoftuar se operacioni është ende në vazhdim. /Kosova.info/


Go to TOP