Ministria e Sportit zyrtarizon stadiumin sintetik për KF “Studenti”

Sot, Ministri i Sportit dhe i Rinisë priti në takim Kryetarin e Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, dhe Drejtorin e Zhvillimit Ekonomik, z. Haki Huruglica, me të cilët diskutoi për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe avancimin e projekteve sportive në shërbim të qytetarëve të komunës së Gjilanit.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, i cili përfshin edhe infrastrukturën ekzistuese si Stadiumi i Qytetit në Gjilan, palestra “Bashkim Selishta” dhe palestra në fshatin Zhegër, u nënshkrua edhe Memorandumi i Mirëkuptimit për realizimin e projektit të rëndësishëm sportiv: ndërtimin e stadiumit sintetik të KF “Studenti” në Miresh.

Ky projekt paraqet një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve sportive dhe krijimit të hapësirave moderne për klubet dhe të rinjtë e kësaj treve.

KF “Studenti”, me mbi 50 vite histori në futboll, është simbol i përkushtimit dhe traditës sportive, dhe meriton mbështetje të vazhdueshme për zhvillimin e gjeneratave të reja të sportistëve.

Ministria e Sportit dhe Rinisë mbetet e përkushtuar që të investojë në infrastrukturën sportive në mbarë vendin, duke e parë sportin si zhvillim, edukim, disiplinë dhe perspektivë për të rinjtë tanë. /Kosova.info/


Go to TOP