Miliona refugjatë pritet ta lëshojë Ukrainën, OKB del me shifra

Sipas vlerësimit të fundit të Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) pritet që 8.3 milionë refugjatë të largohen nga Ukraina.

Rreth 5.2 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina që nga e hëna, tregojnë të dhënat e fundit të UNHCR-së.

UNHCR dhe organizatat partnere po kërkojnë 1.85 miliardë dollarë për t’ ndihmuar refugjatët ukrainas në vendet fqinje, tha të martën zëdhënësja e UNHCR, Shabia Mantoo.

Duke folur në Gjenevë për të filluar një plan të përditësuar se si të veprohet me refugjatët ukrainas, Mantoo tha se përmes planit “synohet sigurimi i ndihmës humanitare në kohë dhe shpëtimi i jetëve për refugjatët që ikin nga Ukraina dhe shtetasit e vendeve të treta, prej të cilëve një numër i konsiderueshëm do t’iu nevojitet mbrojtje ndërkombëtare”.

Përveç atyre që ikin nga vendi, më shumë se 7.7 milionë njerëz janë të zhvendosur brenda vendit në Ukrainë, sipas raportit të fundit të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, duke e çuar numrin total të atyre që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në 12.9 milionë.

Kishte gjithashtu pothuajse 13 milionë njerëz që vlerësohet të jenë të bllokuar në zonat e prekura ose që s’janë në gjendje të largohen për shkak të rreziqeve të sigurisë, tha Mantoo.

Go to TOP