Milani mezi mund Cremonese-n
AC Milan arriti fitore të rëndësishme 2-0 në udhëtim ndaj Cremonese në Serie A, duke ruajtur presionin mbi kreun e tabelës.
Pas humbjes 1-0 ndaj Parma në ndeshjen e fundit, Milan e nisi sfidën me dëshirë për rikthim, por Cremonese, që vinte pas një formë jo të mirë, shpresonte të hakmerrej për fitoren e muajit gusht në ‘San Siro’.
Federico Bonazzoli, autor i golit të fitores atëherë, pati një mundësi të artë për të shënuar edhe këtë herë, por goditja e tij nga afërsia shkoi pranë, jashtë kuadratit.
Rafael Leao kishte mundësinë e tij për të kaluar Milanin në avantazh, por gjuajtja e tij e qartë një me një me portierin Emil Audero shkoi jashtë kuadratit. Portieri i Cremonese-s bëri dy pritje të rëndësishme ndaj Leao dhe Christian Pulisic, duke mbajtur rezultatin 0-0 deri në pushim.
Edhe pas rikthimit në fushë, sulmet e Milanit mbetën të pasakta. Leao humbi dy raste të qarta, përfshirë një goditje të lehtë nga afërsia dhe një përpjekje të dobët përballë Audero-s. Tensioni për golin e fitores rritej ndërsa minuta kalonin.
Në minutën e 90-të, Strahinja Pavlovic realizoi golin e pritshëm, duke devijuar topin pas një krosi të Luka Modric nga një këndor i shkurtër, që u pre nga Koni De Winter.
Më pas, Rafael Leao shfrytëzoi mundësinë e tij për të shënuar golin e dytë në rrjetën e zbrazët pas një pasimi të Christopher Nkunku, duke vulosur fitoren e Milanit dhe duke i dhënë fund një serie pa fitore prej 13 ndeshjesh për Cremonese.
Pas kësaj fitore, Milani ka 57 pikë në vendin e dytë, dhjetë më pak se lideri i tabelës, Inter, kurse, Cremonese është e 17-ta me 24 sosh.
