Miftaraj ngre alarmin: Këshilltarët e Kurtit, nga shteti i së drejtës te tregtia me rrymë dhe pasurimi personal
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka ngritur shqetësime serioze lidhur me përfshirjen e disa këshilltarëve të Kryeministrit Albin Kurti në biznesin e tregtimit të energjisë elektrike. Përmes një reagimi publik, ai ka vënë në pah disa zhvillime që, sipas tij, përbëjnë shenja të qarta të klientelizmit dhe përfitimeve personale nga pozitat publike.
“Interesant se si disa këshilltarë të Albin Kurtit janë marakli të tregtisë me rrymë elektrike. Interesant se biznesit të tregtisë me rrymë elektrike i kanë hyrë vetëm pasi që partia e tyre ka ardhur në pushtet,” ka shkruar Miftaraj.
Ai ka shtuar se gjatë katër apo pesë viteve të fundit, këta individë kanë shtuar numrin e banesave dhe kanë rritur ndjeshëm kursimet dhe financat personale.
Sipas tij, përkundër premtimeve për një shtet të së drejtës, vendi po shndërrohet në një shtet të kapur nga këshilltarët dhe rrjeti i klientelizmit.
“Era shtet i kapur!” ka përfunduar Miftaraj. /Kosova.info/
