Meta takon Santos: Të liberalizohen sa më parë vizat edhe me Kosovën

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta priti këtë të hënë në një takim raportuesen për Shqipërinë, eurodeputeten Isabel Santos.

“Kënaqësi të takohesha me Raporteren për Shqipërinë, Eurodeputeten Isabel Santos. Vlerësova angazhimin e saj dhe të Parlamentit Europian në mbështetje të nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Ramë dakord se krimi i organizuar dhe emigracioni përbëjnë shqetësim serioz, që duhet trajtuar me përparësi”, ka shkruar Meta në Facebook.

Dita e sotme shënon 11-vjetorin e vendimit të Këshillit Evropian për liberalizmin e vizave me Shqipërinë, e në këtë kontekst, në takimin me Santos Presidenti u shpreh se “është e domosdoshme, që ky proces të përmbyllet me rajonin tonë, duke liberalizuar sa më parë vizat edhe me Kosovën, të vetmit vend që nuk i është mundësuar ende kjo e drejtë edhe pas plotësimit të të gjitha kushteve. Theksova gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke u ndalur edhe në situatën shqetësuese të krijuar në Bosnje-Hercegovinë, së cilës Bashkimi Europian duhet t’i kushtojë vëmendjen e duhur pa humbur kohë”.

Go to TOP