Meta kërcënon se do të heqë përmbajtjen e lajmeve nga Facebook në SHBA

Kompania Meta ka kërcënuar se do të heqë përmbajtjen e lajmeve nga Facebook në SHBA.

Kjo pasi SHBA kundërshton një ligj të ri që do t’u jepte organizatave të lajmeve fuqi më të madhe për të negociuar tarifat për përmbajtjen e shpërndarë në Facebook. Një ligj i ngjashëm, i miratuar në Australi, bëri që lajmet në Facebook të pezulloheshin shkurtimisht vitin e kaluar.
Meta pretendon se platforma e tyre, në fakt, ofron rritje të trafikut për mediat në vështirësi. Legjislacioni, i njohur si Akti i Konkurrencës dhe Ruajtjes së Gazetarisë (JCPA) u prezantua në Kongres nga Senatorja e Minesotës, Amy Klobuchar dhe ka mbështetje dypartiake.

Kjo do t’u jepte botuesve dhe transmetuesve fuqi më të mëdha për të negociuar kolektivisht me kompanitë e mediave sociale për një pjesë më të madhe të të ardhurave nga reklamat.

Kompanitë mediatike argumentojnë se Meta gjeneron shuma të mëdha parash nga artikujt e lajmeve të shpërndara në platformë. Zëdhënësi i Meta-s, Andy Stone, tha: “Nëse Kongresi miraton një projekt-ligj të pamenduar për gazetarinë si pjesë e legjislacionit të sigurisë kombëtare, ne do të detyrohemi të shqyrtojmë heqjen e lajmeve nga platforma jonë”.

Meta gjithashtu argumenton se ndarja e lajmeve në llogaritë e Facebook përbën vetëm një pjesë të të ardhurave të saj. Një ligj i ngjashëm australian, i cili hyri në fuqi në mars 2021, çoi në një mbyllje të shkurtër të burimeve të lajmeve të Facebook në vend.

Go to TOP