Mësimi plotësues në mërgatë për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës

Përpjekjet e mërgatës sonë në Zvicër, posaçërisht e arsimtarëve dhe prindërve, që mësimi plotësues të vazhdojë të funksionojë me qëllim të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare nuk ndalën.

Një organizim i tillë u mbajt edhe kësaj radhe në Kuttigen e ku të ftuar ishin pjesëmarrës nga trojet shqiptare.

E pranishme ishte edhe RTK, e cila u premtoi mërgatës mbështetje e program adekuat.

Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” për kantonin e Aargaut në Zvicër ka organizuar një manifestim në Kuttigen me rastin e përfundimit të vitit shkollor. Në këtë manifestim, përveç mërgimtarëve të shumtë, morën pjesë personalitete të larta shkencore nga trojet shqiptare, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, Maqedonisë së veriut si dhe zyrtar zviceran.

Në emër të Këshillit Organizues foli Riza Demaj, kryetar i LAPSh-it për kantonin Aargaut. Ai foli për punën që po e bëjnë si LAPSh në mënyrë që mësimi plotësues të vazhdojë të funksionojë gjithnjë me të vetmin qëllim, ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Ndërsa, zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, thotë se LAPSh është duke bërë një punë të mrekullueshme dhe na jep shpresë se fëmijët nuk do ta humbin lidhjen me vendlindjen.

Ndërkaq, drejtori i Televizionit, Rilind Gërvalla, i përgëzojë organizatorët, mësuesit, nxënësit, prindërit dhe të gjithë ata që po kontribuojnë në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare, ndërsa u premtoj mërgimtarëve se RTK do të jetë në shërbim edhe të shikuesve në mërgatë.

Përfaqësuesja e komunës së Suhrit, Karmen Suter, ka përgëzuar shoqatën për kontributin e tyre në ruajtjen e gjuhës dhe traditës si dhe për integrimin në shoqërinë zvicerane.

Në këtë ngjarje të pranishëm ishin edhe akademik e profesor nga Kosova e Maqedonia e Veriut. Akademik Frashër Demaj e vlerësoi lart punën që po bëjnë mësuesit dhe drejtuesit e LAPSH-it.

Përfaqësuesi i Universitetit të Tetovës profesor Zeqirja Rexhepi bëri thirrje për rritjen e numrit të nxënësve.

Pas fjalimeve nxënësit u shfaqën me një program të pasur kulturor me recitime, këngë e valle me motive patriotike.

Go to TOP