Merz: Rritja e shpenzimeve të NATO-s nuk është për t’i pëlqyer askujt
Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se vendi i tij po “e pajis NATO-n me burime dukshëm më të mira” për t’iu kundërvënë kërcënimit që Rusia paraqet për sigurinë e Evropës.
Ai po i referohej presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka ushtruar presion mbi aleatët për të rritur shpenzimet ushtarake.
“Ne po e pajisim NATO-n me burime dukshëm më të mira – jo për t’i pëlqyer askujt, por nga kuptimi ynë i qartë: Rusia po kërcënon të gjithë rendin politik të kontinentit tonë. Veçanërisht Evropa duhet të shtojë përpjekjet e saj për të siguruar mbrojtjen e saj”, shkroi Merz në rrjetin social iks.
Më parë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte tha se rritja e pritur e shpenzimeve të mbrojtjes dhe sigurisë në pesë për qind të produktit të brendshëm bruto nuk do të ndodhte pa presidentin e SHBA-së.
