Meliza Haradinaj: Nëse Kurti nuk e dëgjon ShBA-në për targat, jep sinjal për zgjedhje të reja

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet ta dëgjojë kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shtyrjen e afatit për zbatimin e marrëveshjes për targa për 10 muaj.

Nëse Kurti nuk i dëgjon kërkesat amerikane, sipas ish-ministres Haradinaj, ai jep sinjale se dëshiron ta dërgojë vendin në zgjedhje të reja.

“Nëse Kurti nuk e shtyn implementimin, siç kërkon Amerika, besoj që Kurti po na jep, po e fuqizon atë sinjal që është gati ta dërgojë vendin në zgjedhje dhe nuk është gati ta vazhdojë dialogun, dhe nuk është gati ta vazhdojë dinamikën”, ka thënë Haradinaj.

Tutje, ajo ka thënë se partitë opozitare duhet ta pranojnë ftesën e Kurtit, për të diskutuar në lidhje me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Ajo ka thënë se Qeveria e Kosovës, ka negociuar fshehurazi në mënyrë jotransparente.

“Escobar tha se ka diskutuar me Presidenten edhe për modele për asociacionin, e gjithë kjo mostransparencë tregon se qeveria ka ecur përpara për negociata. Vetë fakti i ekzistencës dhe jo i mohimit të propozimit franko-gjerman, lë të nënkuptojë se qeveria ka negociuar fshehurazi, pa komunikuar me kuvendin, pa komunikuar me popullin”, ka thënë ajo.

Tutje, ajo ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, duhet të formohet. Sipas saj, Kosova duhet ta themelojë një draft, të ngjashëm me Asociacionin e Komunave të Kosovës, dhe t’ia ofrojë atë Serbisë.

Sipas saj, Asociaconi nuk duhet të jetë monoetnik dhe as nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive, por duhet të jetë i ngjashëm me një OJQ.

Go to TOP