Mehmetaj sfidon Vjosa Osmanin: Eja në debat, të tregoj bizneset dhe sekserët e tu

Gazetari Lirim Mehmetaj ka sfiduar publikisht Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani duke e akuzuar për hipokrizi në raport me sistemin e drejtësisë dhe duke e ftuar në një debat ballë për ballë.

Ai i është drejtuar Osmanit me tone të ashpra, duke e quajtur “hajdute” dhe duke e akuzuar se e konsideron drejtësinë të kapur, por tani po kërkon ta padisë atë për deklaratat e tij. “E si do tash që të më paditësh në një sistem të cilit nuk i beson?”, shkruan Mehmetaj.

Duke e konsideruar se çështja e vërtetë është besimi i popullit, Mehmetaj e ka ftuar Osmanin në një debat të hapur, ku premton të zbulojë bizneset dhe ndërmjetësit përmes të cilëve, sipas tij, ajo i kryen “punët e ndyta”. Ai sugjeroi që moderatori Ermal Panduri të mundësonte përballjen.

Në fund, Mehmetaj theksoi se vetëm populli mund të japë verdiktin për Osmanin duke e akuzuar atë se e njeh qytetarin vetëm si material elektoral. Deri më tani, nga ana e Presidencës nuk ka pasur ndonjë reagim lidhur me këtë sfidë publike.


Go to TOP