Mehmetaj: Bedri Hamza po i ha fjalët – s’mbajti qëndrim as një muaj për presidentin
Gazetari Lirim Mehmetaj ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza duke e akuzuar për mospërmbajtje të fjalës lidhur me qëndrimin për zgjedhjen e presidentit.
Sipas Mehmetajt, më 21 janar të këtij viti, Hamza kishte deklaruar publikisht se nuk do të pranonte as të bisedonte me kryeministrin Albin Kurti për çështjen e presidentit pas konstituivit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë. Por, ai thotë se zhvillimet e fundit tregojnë të kundërtën.
“Siç po e shihni, Bedri Hamza s’po e mban fjalën as një muaj ditë”, ka shkruar Mehmetaj duke shtuar se opozita nuk duhet të kërkojë udhëzime nga qytetarët për veprimet politike, por të tregojë lidership.
Ai ka kritikuar ashpër edhe qasjen e Hamzës në politikë duke e cilësuar si pjesë e një gjenerate të ngritur politikisht nga Hashim Thaçi, për të cilën thotë se “kanë fituar përshtypjen sikur dinë diçka”.
Në fund, Mehmetaj ka bërë thirrje që, sipas tij, t’u lihet rruga njerëzve që kanë “dashni të vërtetë ndaj Kosovës” dhe që janë të gatshëm për betejë politike ndaj kryeministrit Kurti. /Kosova.info/
