Mehaj: Furnizimet ushtarake janë të planifikuara, investimet në siguri garanci për të ardhmen e Kosovës

Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka reaguar ndaj interesimit të mediave lidhur me furnizimet e fundit të sistemit OMTAS duke theksuar se të gjitha furnizimet e deritanishme, përfshirë edhe ato nga Turqia, janë pjesë e një strategjie të planifikuar dhe të vazhdueshme të ndërtimit të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.

Mehaj sqaroi se nuk bëhet fjalë për blerje të rastësishme apo të papritura, por për procese që kanë nisur më herët dhe janë zhvilluar në mënyrë të rregullt. Ai rikujtoi se sistemi OMTAS është prezantuar për herë të parë publikisht gjatë ushtrimit ndërkombëtar “Defender 23”, ku, sipas tij, janë publikuar edhe fotografi dhe materiale video që dëshmojnë marrëveshjet shtet me shtet.

Duke iu përgjigjur pyetjeve për shpenzimin e mjeteve financiare, ish-ministri i Mbrojtjes tha se fondet janë përdorur ekskluzivisht për këto furnizime, për ato të mëparshme dhe për furnizimet që do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, në funksion të forcimit të mbrojtjes së vendit.

Mehaj theksoi se në të gjitha proceset, përfshirë marrëveshjet dhe kontraktimet shtet me shtet, ka pasur përkrahje të plotë nga Kryeministri Albin Kurti, të cilën ai e ka vlerësuar gjithmonë lart.

Po ashtu, ai sqaroi se aktivizimi i Fondit të Sigurisë nuk është i rastësishëm dhe as i tepruar duke theksuar se fonde të tilla ekzistojnë edhe në shtete shumë më të konsoliduara. Sipas tij, investimet në siguri janë investime në stabilitet dhe në të ardhmen e shtetit, ndërsa mjetet e këtij fondi i nënshtrohen kontrolleve të rrepta dhe nuk lënë hapësirë për parregullsi apo abuzim.

Në përmbyllje, Mehaj theksoi se çdo kontribut për sigurinë e Kosovës është investim në të ardhmen duke ritheksuar përkushtimin për bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë dhe rrugëtimin drejt anëtarësimit në NATO. /Kosova.info/


Go to TOP