Mediat ruse ‘insistojnë’ te klori/ Pse u regjistrua vdekja e rusëve si vrasje

Përfaqësues të ambasadës ruse në Tiranë kanë mbërritur këtë mesditë tek Instituti i Mjekësisë Ligjore, për të marrë të dhëna mbi vdekjen e mistershme të katër turistëve rusë, mbrëmjen e të premtes, në një hotel në Qerret të Kavajës.

Diplomati rus nuk ka pranuar të komentojë për media, por është futur direkt në ambientet e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Kurse dhjetëra media kryesore ruse raportojnë se shkaku i vdekjes mbetet klori. Këto media raportojnë po ashtu se kolegët shqiptarë kanë përhapur dizinformacione duke shkruar se turistët ishin të droguar.

Kurse të dhënat e para nga Mjekësia Ligjore hedhin dyshime se shkak për vdekjen e turistëve është bërë asfiksia, ndonëse nuk dihet ende se nga se ka ardhur ajo. Janë disa pista hetimi deri më tani mbi tragjedinë e katërfishtë, ku së pari është përdorimi i tepruar i klorit në pishinën ku u gjetën viktimat, por edhe mosventilimi i mjaftueshëm i ambientit, ndërsa nuk përjashtohet edhe helmimi.

Dosja e ngjarjes po shihet me shumë kujdes nga ekspertët, për shkak të kohës së shkurtër në të cilën kanë gjetur vdekjen të katër turistët, çifti Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkov, 60 vjeç, dhëndri i tyre, Nikita Belousov, 37 vjeç, dhe vajza e tyre, Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe.

Nga ana e tyre, ekspertët e Mjekësisë Ligjore janë shprehur se kanë pasur viktima nga klori edhe më herët, por jo katër raste njëherësh. Për këtë arsye, Prokuroria e ka regjistruar ngjarjen si vrasje e mundshme, por pa pasur një autor.

Go to TOP