Media zvicerane për Lajçakun: BE shtyn ndërrimin e planifikuar të ambasadorit në Bernë
I emëruar në prill si ambasador i ardhshëm i Bashkimit Europian në Zvicër, sllovaku Miroslav Lajçak përfundimisht nuk do të marrë postin këtë vit.
Arsyeja është se mandati i Lajçakut si Përfaqësues Special i Brukselit për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor është zgjatur.
Si rezultat, ambasadori aktual, diplomati grek Petros Mavromichalis, do të qëndrojë në detyrën e tij deri më 31 gusht 2025, shkruan mediumi zviceran “Swissinfo.ch”.
“Mezi pres të kaloj edhe një vit në Bernë dhe të punoj me partnerë dhe miq në Zvicër dhe Lihtenshtajn për të thelluar marrëdhëniet me këto dy vende të rëndësishme për BE-në”, shkruan Mavromichalis në rrjetin social X.
Po ashtu në X, delegacioni europian në kryeqytetin zviceran njoftoi ndryshimin e planeve duke folur në terma të përgjithshëm për “zhvillime të paparashikuara”.
Pasi u emërua në prill të këtij viti, Lajçak, ish-ministër i Jashtëm i Sllovakisë, do të merrte detyrën në shtator për një afat kohor të mundshëm prej katër vjetësh.
Zgjatja e misionit të Lajçakut në Ballkan u vendos nga Këshilli i Bashkimit Europian në fund të korrikut, thuhet në faqen e institucionit. 61-vjeçari e mban këtë rol që nga viti 2020.