Më pak lloje, por më shumë efektivë – këta janë 4 aeroplanët që SHBA dëshiron të mbajë për tu përballur me luftërat e ardhshme

Në shtator, dy nga oficerët e rangut më të lartë të Forcave Ajrore paralajmëruan se “shërbimit po i mbaronte koha” për të zhvilluar asetet dhe aftësitë e reja që i nevojiteshin për të qëndruar para kërcënimeve në zhvillim.

Gjenerali Charles Brown Jr., shefi i shtabit të Forcave Ajrore, bëri thirrje që shërbimi “të lëvizë me një ndjenjë urgjence” në përgjigje të konkurrencës strategjike me Kinën, të cilën ai e quajti “një nga sfidat më të mëdha të kombit tonë”, shkruan Business Insider, përcjell Kosova.info.

“Ne nuk mund të presim për një krizë katastrofike, qoftë ajo e papritur apo tinëzare, për të nxitur ndryshimin për Forcën Ajrore dhe Forcën e Përbashkët. Nëse e bëjmë, do të jetë tepër vonë”, ka paralajmëruar Brown në një konferencë.

Ndërsa gjenerali Clinton Hinote, zëvendës shefi i shtabit për strategjinë, integrimin dhe kërkesat, i bëri jehonë këtij shqetësimi, duke i thënë konferencës se ishte “shumë i shqetësuar për drejtimin e forcës sonë”.

“Jam i shqetësuar se avionët e së nesërmes nuk do të kenë atë që u nevojitet për të mbrojtur kombin në kohën e tyre nëse ne nuk ndryshojmë tani”, citohet të ketë thënë Hinote.

Andaj, Forcat Ajrore amerikane duhet të zbatojnë ndryshime për të ruajtur dominimin që ka gëzuar në mbarë botën për dekada, thanë zyrtarët.

Një nga këto ndryshime do të jetë ristrukturimi i flotës luftarake.

Sipas shkrimit në fjalë, zyrtarët amerikanë përmendin shpesh Rusinë, por nuk diskutohej se kush shihet si kërcënimi më i madh.

Me fuqinë e saj ushtarake dhe ekonomike, Kina do të sfidojë SHBA-në “në një mënyrë që nuk e kemi parë që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha Brown, duke i bërë jehonë komenteve të mëparshme për luftën e ardhshme ajrore.

Dhe Forcat Ajrore po ndjekin përmirësime dhe modifikime për të adresuar ato sfida të reja. Përmirësimi dhe përditësimi i flotës luftarake ka qenë një fokus i veçantë.

“Ne do të duhet të largohemi nga mbajtja e shtatë flotave luftarake në lojë gjatë gjithë kohës”, Hinote u tha gazetarëve gjatë konferencës. “Kjo është shumë e shtrenjtë. Janë shumë flota”.

Andaj, vë në pah Business Insider, Forcat Ajrore duan të tërheqin modelet e saj F-15C dhe D, të cilat e kanë “tejkaluar jetën e tyre të shërbimit”

“Ata janë gjithnjë e më të pafluturueshëm”, citohet të ketë thënë Hinote.

Forcat Ajrore shpresojnë gjithashtu të nxjerrin në pension avionin A-10 deri në vitin 2030.

Katër modelet e mbetura në shërbim do të jenë F-22, F-35, F-15E dhe EX dhe F-16.

Një F-16, përpara dhe një F-35.

“Ne do të shkojmë nga shtatë në katër”, tha Hinote. “Ne do të shkojmë në një forcë moderne luftarake me katër platforma të ndryshme”.

Bëhet fjalë për F-22 dhe F-35 që janë dy “luftëtarët” e gjeneratës së pestë të SHBA-së, më të avancuarit në flotë. F-22 u prezantua në vitin 2005 dhe F-35 në vitin 2016 dhe fillimisht, ata ishin të destinuar të punonin si tandem.

Ndërkohë familja e avionëve F-15 mbetet ndër më të aftët dhe më të suksesshmit në botë. SHBA ka tërhequr modelet e saj F-15A dhe B, dhe modelet e vjetra F-15C dhe D së shpejti do t’i ndjekin ato.

Një F-15EX në bazën e Forcave Ajrore Eglin në Florida më 11 mars.

Dhe Forcat Ajrore synojnë të mbajnë në qiell modelet e saj të përmirësuara thelbësisht F-15E dhe F-15EX.

F-15E është një “luftëtar” shumë i aftë ajër-ajër dhe ajër-tokë.

F-15EX i blerë së fundmi, i njohur zyrtarisht si Eagle II, është shumë i azhurnuar dhe përmban një paketë moderne të elektronikës, duke përfshirë një radar të ri, kompjuter misioni, ekrane të kabinës dhe Sistemin e Paralajmërimit Pasiv/Aktiv dhe jo vetëm.

Flota luftarake mund të shohë ndryshime të tjera, por aeroplanët luftarakë nuk janë prioriteti i vetëm i Forcave Ajrore.

Ndër tjerash ajo dëshiron të investojë në inteligjencën artificiale. Ajo gjithashtu shpreson të marrë raketa moderne ajër-ajër me rreze të gjatë.

Go to TOP