Mbi 30 vende diskutojnë për luftimin e krimeve kibernetike

Shtetet e Bashkuara kanë organizuar një konferencë dy-ditore online për të diskutuar lidhur me sulmet kibernetike të cilat gjithnjë e më shumë po dëmtojnë bizneset dhe po cenojnë sigurinë kombëtare.

Përfaqësuesit e 30 vendeve nga Evropa, Lindja e Mesme, Afrika, Amerika e Jugut dhe Azia do të bashkohen me zyrtarët e administratës Biden në konferencën më 13-14 tetor për të shqyrtuar se si të luftojnë këto sulme duke përfshirë edhe bërjen më të vështirë të përdorimit të kriptomonedhave si mjet të pagesës.

Diskutimet do të përqendrohen gjithashtu në mënyrën se si të ndiqen penalisht kriminelët në internet dhe si të veprohet me ato shtete që nuk adresojnë keqbërësit në internet që veprojnë brenda kufijve të tyre.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, e ka bërë luftimin e krimeve kibernetike një përparësi kryesore pasi numri dhe ashpërsia e tyre është rritur vitet e fundit, duke ndikuar në një gamë të gjerë të industrive nga shitja me pakicë dhe ushqim në kujdesin shëndetësor dhe infrastrukturën thelbësore.

Frank Cilluffo, drejtor i Institutit McCrary të Universitetit Auburn për Sigurinë Kibernetike dhe Infrastrukturës Kritike dhe një këshilltar qeveritar, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo është bërë një çështje ndërkombëtare që kërkon zgjidhje të tillë.

“Ne duhet të jemi në gjendje të kemi një qëndrim me aleatët për të filluar adresimin e kësaj sfide me seriozitet dhe duke zbatuar bashkarisht njëfarë presioni mbi vendet që po i mbyllin sytë për disa nga këto”, tha Cilluffo.

Në fillim të këtij viti, hakerët që besohej se ishin me bazë në Rusi ndërprenë operacionet e një operatori të madh të tubacioneve amerikane, si dhe një kompanie të madhe për prodhimin e mishit.

Moska ka mohuar akuzat për sulme kibernetike ndaj vendeve perëndimore.

Përfaqësuesit nga Rusia nuk ishin të ftuar në konferencë, u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i administratës më 12 tetor, duke shtuar se Uashingtoni dhe Moska kohët e fundit vendosën një dialog të nivelit të lartë, dypalësh mbi sigurinë kibernetike.

Go to TOP