Mbi 2.2 milionë fëmijë vuajnë nga uria në Jemen

Mosha e Ahad është tre vjeç. Kaq është edhe vet pesha e vajzës nga Jemeni të cilës si pasojë e kequshqyerjes iu rëndua shumë gjendja shëndetësore.

Ndihmë në një klinikë të largët erdhi të kërkojë babai i saj i cili tha se trupi i vogëlushes më nuk ia pranon as ushqimin.

“Çfarëdo ushqimi që t’i japim, ajo e kthen mbrapsht”, ka thënë babai.

Varfëria e uria po kërcënon jetët edhe te qindra mijëra fëmijë në Jemen.

Një ndër ta është edhe Sara, e cila ka nevojë për ndihmë urgjente, por nëna e saj nuk mund të përballojë biletën e transportit për të shkuar spital.

“Do të ketë komplikime nëse ajo nuk shkon ne spital. Dhe nëse ka komplikime, ajo do të vdesë me siguri”, thotë Dr. Ali Ben Ali Adoubela, mjek në klinikë.

Në këso gjendje, sipas Kombeve të Bashkuara, janë rreth 2.2 milionë fëmijë jemenas nën moshën pesë vjeçë të cilët vuajnë nga uria.

Më shumë se gjysmë milioni janë të kequshqyer rëndë.

Vendi poashtu është tronditur nga lufta civile që nga viti 2014 kur rebelët Houthi të mbështetur nga Irani pushtuan kryeqytetin Sanaa, duke detyruar qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të arratisen.

Një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite hyri në luftë në mars të 2015-ës në përpjekje për të rikthyer qeverinë në pushtet.

Go to TOP