Massara tregon pse dështoi transferimi i Sancho-s

Drejtori sportiv i AS Roma, Ricky Massara, ka zbuluar se klubi italian e kishte marrë në konsideratë transferimin e Jadon Sancho-s, por në fund vendosi të mos veprojë.

Sancho, i cili u huazua nga Manchester United te Aston Villa deri në fund të sezonit, ishte në listën e mundësive për Romën, por Massara theksoi se nuk kishte arsye të forta për ta sjellë në “Olimpico”.

“Sa i përket Sancho-s, ishte një mundësi, por nuk kishte arsye të përgjithshme për ta sjellë këtu. Ne kemi një repart sulmues shumë të fortë, si (Artem) Dovbyk, dhe jemi të bindur se mund të bëjmë mirë me lojtarët që kemi në dispozicion,” tha Massara për “DAZN”.

Shefi i verdhekuqve komentoi edhe mbi situatën e kapitenit Lorenzo Pellegrini.

“Para së gjithash, e dimë që futbolli është shumë dinamik dhe gjërat mund të ndryshojnë shpejt. Ai dhe ne jemi të fokusuar te fusha. Është një lojtar i fortë që kujdeset për Romën dhe do të japë kontributin e tij,” u shpreh Massara.

Roma po synon të konsolidojë formën në Serie A dhe të qëndrojë në garë për objektivat sezonalë, duke u mbështetur te grupi aktual i lojtarëve.


Go to TOP