Maqedonci merr pjesë në diplomimin e kadetëve në Shqipëri – katërfishohet kuota për Kosovën vitin e ardhshëm
Me ftesë të ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Pirro Vengu, ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, mori pjesë në ceremoninë zyrtare të diplomimit të kadetëve në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Në këtë ceremoni të rëndësishme për forcat mbrojtëse të të dy vendeve, u diplomuan me sukses edhe pesë kadetë nga Kosova, të cilët do të vazhdojnë shërbimin e tyre si oficerë në radhët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ministri Maqedonci falënderoi homologun e tij shqiptar, ministrin Pirro Vengu, për mikpritjen dhe për bashkëpunimin e ngushtë ndërinstitucional mes dy ministrive të mbrojtjes. Ai theksoi rëndësinë e këtij partneriteti për zhvillimin profesional dhe ushtarak të kuadrove të FSK-së.
Falë përkrahjes së ministrit Vengu dhe të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, gjeneral Arben Kingji, është bërë e mundur që për vitin e ardhshëm të katërfishohet numri i kadetëve nga Kosova që do të ndjekin studimet në këtë akademi prestigjioze.
Ky zhvillim paraqet një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe arsimor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. /Kosova.info/
