Manchester United deklason Real Sociedad dhe siguron çerekfinalen

Manchester United do të ndeshet me Olympique Lyon në çerekfinale të Europa League. 

Kjo pasi skuadra angleze të enjten ka arritur një fitore të thellë 4-1 ndaj Real Sociedad në “Old Trafford”, duke kaluar tutje me rezultat të përgjithshëm 4-2.

Skuadra spanjolle ka kaluar e para në epërsi me golin e Mikel Oyarzabal nga penalltia në minutën e dhjetë’, por Bruno Fernandes e ka barazuar po nga pika e bardhë në minutën e gjashtëmbëdhjetë.

Pjesa e parë është mbyllur me shifrat 1-1.

Në minutën e pesëdhjetë, Fernandes ka realizuar sërish nga penalltia për të kaluar “Djajtë e Kuq” në epërsi.

Real Sociedad ka mbetur me një lojtar më pak në minutën e gjashtëdhjetë e tretë, pasi Aramburu është ndëshkuar me karton të kuq.

United e ka shfrytëzuar avantazhin numerik dhe në minutën e tetëdhjetë e shtatë, Bruno Fernandes e ka kompletuar tregolëshin e tij me asistimin e Alejandro Garnachos.

Në minutat shtesë, Diogo Dalot e ka shënuar golin e fundit, duke vulosur rezultatin 4-1.


Go to TOP