Maloku: Vizita e shefit të CIA-s në rajon ishte me karakter specifik
Albinot Maloku, analist politik, në magazinën e RTK-së, “InfoPlus”, ka folur për situatën politike në vend, për çështjen e urës mbi lumin Ibër, por edhe për vizitën e shefit të CIA-s në vendet e rajonit dhe në Kosovë.
Ai tha se vizita e shefit të CIA-s ishte rajonale e një karakteri specifik, duke përfshirë personalitete, që kohëve të fundit kanë qenë të apostrofuar për situata të ndryshme, ku në këtë këndvështrim përmendi Milorad Dodikun, Aleksandar Vuçiqin, në Serbi, dhe Albin Kurtin, në Kosovë.
Ardhja e shefit të CIA-s në Ballkanin Perëndimor, sipas Malokut, do të ketë efektet e veta.
“Vizita në Kosovë, pati një pompozitet, dihej se do të ketë karakter populist, që me vonë do t’ia humbin peshën siç është rasti me hapjen e urës mbi lumin Ibër, por edhe me fenomenet tjera e sidomos mos-përparimit të jetësimit të marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë, gjithsesi e panënshkruar, por obligative”, tha Maloku.
Ai u shpreh kritik në mosarritjen e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë, duke thënë se palët nuk kishin interes në arritjen e marrëveshjes, gjithashtu ai ishte kritik edhe ndaj BE-së në mos-seriozitetin e saj në këtë fushë, ndonëse sipas tij, boshti i marrëveshjes ka qenë plani franko-gjerman lidhur me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ku në këtë rrafsh janë porositë aktuale edhe të shefit të CIA-s.
Maloku për hapjen e urës mbi Ibër tha se kjo do të mund të bëhej më ndryshe në qasje, duke bashkërenduar hapat me ndërkombëtarët, siç tha ai, për të mos ngarkuar qytetarët me peshën politike.
“Një personalitet me pozicion të lartë politik do të duhej të kishte racionalitetin që ta kuptonte me kënd duhet të komunikohet, me cilin faktor që e njëjta çështje të përmbyllej si çështje e hapur dhe të ecej me çështje të tjera”, tha Maloku.