Loshi: Thaçi nuk ka qenë kurrë në krye të UÇK-së, rëndësinë e fitoi vetëm pas Rambujesë
Aktivisti i çështjes kombëtare, Liri Loshi, ka reaguar lidhur me debatin e vazhdueshëm për rolin e Hashim Thaçit në UÇK duke thënë se ai nuk ka qenë asnjëherë komandant i saj. Sipas Loshit, në fillim Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte një udhëheqës të vetëm, e më pas komandant u emërua Sylejman Selimi, i pasuar nga Agim Çeku deri në përfundim të luftës.
“E gjeni kund emrin e Hashim Thaçit deri këtu? Jo, nuk e gjeni, sepse ishte fare në prapavijë. Thaçi me zgjuarsinë dhe dinakërinë e tij projektonte ardhmërinë e vet politike. Ai themeloi drejtorinë politike të UÇK-së bashkë me Bardhyl Mahmutin, por u bë i rëndësishëm vetëm pas shkuarjes në Rambuje, ku me miratimin e delegacionit, përfshirë edhe Ibrahim Rugovën, u vu në krye të tij,” shkroi Loshi.
Ai theksoi se më pas PDK-ja dhe rrethi i Thaçit e promovuan atë si lider të UÇK-së për të mbledhur vota dhe për të krijuar bazën e pushtetit politik pas luftës.
“Çdo gjë tjetër jashtë kësaj ka të bëjë me Hashim Thaçin si politikan dhe jo si komandant apo themelues të UÇK-së. Tani në Hagë po vërtetohet ajo që e kam thënë herët, por atëherë për këtë u sulmova nga militantët e PDK-së,” shtoi Loshi. /Kosova.info/
