Loshi: Nuk mund të kërkosh drejtësi duke ushtruar presion mbi drejtësinë

Liri Loshi, aktivist i njohur i çështjes kombëtare, ka reaguar në lidhje me protestën e organizuar nga shoqatat e dala nga lufta duke ngritur shqetësimin se një protestë në kohën kur ende nuk është dhënë vendimi nga Gjykata Speciale në Hagë mund të interpretohet si presion mbi drejtësinë.

“Nuk mundesh me folë për padrejtësi pa u ndarë drejtësia”, thotë Loshi duke theksuar se është e drejtë të kërkosh që të mos shkelen të drejtat e të burgosurve në Hagë dhe që drejtësia të jetë e pa ndikuar nga politika. Sipas tij, kërkesa që UÇK-ja të mbetet e veçuar nga përgjegjësitë individuale është legjitime, por protestimi në kohën e shqyrtimit gjyqësor mund të prodhojë efekte të paparashikueshme dhe të ndikojë negativisht në vetë trupin gjykues.

Loshi rikujton edhe veprime të mëhershme të Shoqatës së Veteranëve të Luftës, siç ishte publikimi i listës së dëshmitarëve, të cilin e cilëson si një dëm të madh për të akuzuarit, pasi ka sjellë edhe akuza shtesë për presion dhe kërcënim të dëshmitarëve.

Sipas tij, nëse protesta do të kishte një objektiv të qartë dhe do të drejtohej kundër themelimit të Gjykatës Speciale – një vendim i marrë në Kuvendin e Kosovës me votat e partive që sot janë vetë të akuzuara apo mbështetëse të protestës – atëherë ajo do të kishte më shumë kuptim.

“Prokurorët dhe gjyqtarët nuk kanë faj për themelimin e Gjykatës, ata janë aty për ta kryer punën e tyre”, thekson Loshi duke shtuar se, njësoj siç ekziston prezumimi i pafajësisë për të akuzuarit, duhet të ketë edhe besim në paanshmërinë e trupit gjykues.

Ai përfundon duke shprehur shpresën që gjithçka të përfundojë mirë dhe që të fitojë drejtësia, sepse vetëm në atë mënyrë fiton edhe Kosova dhe populli i saj. /Kosova.info/


Go to TOP