Llapi pëson disfatë nga Wisla Krakow

Wisla Krakow ka mposhtur Llapin në ndeshjen e parë të kualifikimeve për Europa League, duke fituar me rezultat 2-0.

Llapi e ka nisur keq ndeshjen e zhvilluar të enjten në stadiumin “Stadion Miejski im. Henryka Reymana”, duke pësuar gol që në minutën e dytë. Ka qenë Sapala ai që me një goditje të fortë e ka mposhtur portierin e skuadrës nga Podujeva.

Llapi ka pasur një rast të mirë për të barazuar rezultatin pas njëzet minutash, kur Baftiu ka bërë një goditje të fortë, por që portieri i Wisla Krakow e ka ndalur. 

Pas fillimit të pjesës së dytë, skuadra polake ka pasur një rast të mirë shënimi në minutën e pesëdhjetë, kur Baena Perez ka goditur shtyllën. Llapi gjithashtu ka pasur një situatë të rrezikshme për portën polake, kur Gashijani ka gjuajtur, por topi është ndalur nga mbrojtja e Wisla ende pa shkuar te porta.

Në minutën e pestë të kohës shtesë, Wisla Krakow e ka gjetur golin për herë të dytë përmes Rodado, duke vulosur fitoren.

Ndeshja e kthimit do të zhvillohet pas një jave në Kosovë

Go to TOP