Lladrovci: Pushteti po kërkohet me çdo kusht – Vota po shitet si dhuratë, PDK rrush i thartë për VV-në

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend duke i cilësuar si të degraduara dhe të shtrembëruara për qëllime të pushtetit.

Në një postim të gjatë, ai komentoi dështimin e seancës së njëmbëdhjetë për formimin e institucioneve duke thënë se procesi politik është bllokuar nga lakmia dhe babëzia për pushtet, të cilat sipas tij po e tejkalojnë madje edhe germën e Kushtetutës. Ai kritikoi mënyrën se si ajo interpretohet sipas interesave të palëve politike.

“Në këtë situatë, partia e parë është bërë lehtë e lexueshme me veprimet e saj. Një deputet ‘dhuron’ një post në Kuvend, sikur nga thesi i babadimrit, me shpresën se kjo do të çojë në krijimin e qeverisë, ku dhuratat për ata që ‘thyhen’ do të jenë shumë më të mëdha – me ministri, diplomaci, agjenci e kontrata njëburimore”, shkruan Lladrovci.

Ai kritikoi edhe letrën e fundit të Vetëvendosjes duke e cilësuar si një përpjekje të dëshpëruar për të rifituar elektoratin e LDK-së, që nuk arriti ta marrë në dy zgjedhjet e kaluara.

“PDK për ta mbetet rrush i thartë, sepse dihet – rrushi që nuk arrihet, është i thartë!”, përfundon Lladrovci duke theksuar se loja politike e partisë së parë është bërë gjithnjë e më e tejdukshme. /Kosova.info/


Go to TOP