“…legalizon ndikimin e Serbisë”, kështu e godiste VV marrëveshjen për të cilën u pajtua sot Bislimi

Në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje është akoma aktive komunikata të cilën e kishin lëshuar për arritjen e marrëveshjes për energjinë me Serbinë në atë kohë kur kryeministër ka qenë Isa Mustafa.  Vetëvendosje thoshte se një marrëveshje e tillë e legalizon ndikimin e Serbisë në Kosovë dhe se e largon Kosovën nga unifikimi me Shqipërinë. Por pikërisht të njëjtën marrëveshje që në vitin 2015 e godiste Vetëvendosje, sot është pajtuar që ta shtyjë përpara numri i dy i qeverisë, të cilit kryeministri Kurti ia ka besuar negociatat, Besnik Bislimi.

Në Bruksel, të martën e 21 qershorit është arritur një marrëveshje për energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përmbajtja e marrëveshjes i jep autorizim kompanisë “Elektrosever”që të shpërndajë faturat e energjisë elektrike te serbët në Veriun e Kosovës. Kjo kompani do të licencohet nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE).

Marrëveshja është e njëjtë si ajo e vitit 2015 e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, po në atë kohë kryeministër ishte Isa Mustafa i Lidhjes Demokratike të Kosovës e opozita drejtohej nga Albin Kurti, tash kryeministër i vendit.

Pikërisht, Lëvizja Vetëvendosje, më 10 shtator të vitit 2015 e kishte kundërshtuar atë marrëveshje, duke thënë se e njejta e legalizon ndikimin e Serbisë në Kosovë dhe largon Kosovën nga unifikimi me Shqipërinë.

 “ZRrE-ja obligohet nga Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Serbisë që t’i licencojë kompanitë e caktuara për tregtim të energjisë elektrike, si dhe për furnizim me energji elektrike, dhe këtë ta bëj përmes një afati të paraparë në marrëveshje. Askund nuk flitet për kriteret që duhet të plotësohen, por vetëm për marrëveshje politike mes dy kryeministrave”, kishte thënë aso kohe Visar Ymeri, drejtues i LVV-së.

Vetë, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi e ka pranuar që “nuk do të shtojnë asgjë në marrëveshjen për energjinë”. Ajo është arritur – e nënshkruar nga Bislimi dhe drejtori i së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”, Petar Petkoviq.

Por nënshkrimin e saj e bëri Qeveria që drejtohet prej partisë që dikur e kundërshtonte ashpër një marrëveshje të tillë për energjinë, madje duke shtuar se “e pengon unifikimin energjetik me Shqipërinë”. 

Go to TOP