LDK: Zgjedhja e Presidentit kërkon marrëveshje politike, përgjegjësia i takon partisë së parë

Grupi Parlamentar i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, ku u diskutuan zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë pas Aktgjykimit të Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.

Në këtë mbledhje, LDK vlerësoi se aktgjykimi ka sjellë qartësi të nevojshme juridike dhe ka rikthyer procesin brenda kornizës kushtetuese duke përcaktuar rrugën që institucionet duhet të ndjekin në vijim.

Ky subjekt politik riafirmoi qëndrimin për respektim të plotë të rendit kushtetues, funksionim normal të institucioneve dhe ruajtje të balancës demokratike. Sipas LDK-së, çdo veprim në këtë fazë duhet të udhëhiqet nga përgjegjësia shtetërore dhe jo nga kalkulimet partiake.

Në komunikatë theksohet se institucioni i Presidentit duhet të jetë figurë unifikuese, mbi palët politike dhe në shërbim të stabilitetit të vendit. LDK rithekson se zgjedhja e Presidentit nuk mund të bëhet përmes improvizimeve procedurale, por vetëm përmes një marrëveshjeje të mirëfilltë politike që garanton unitet institucional dhe përfaqësim gjithëpërfshirës.

Po ashtu, LDK thekson se përgjegjësia për ndërtimin e kësaj marrëveshjeje i takon partisë së parë duke paralajmëruar se çdo dështim për arritjen e një zgjidhjeje do të bartë pasoja politike, përfshirë edhe mundësinë e zgjedhjeve të reja.

Në rast të një skenari të tillë, LDK shprehet e gatshme të garojë e bashkuar, me një vizion të qartë dhe në kërkim të besimit qytetar. /Kosova.info/


Go to TOP