LDK deponoi 17 kallëzime për Kurtin e ministrat që u betuan si deputetë

Shtatëmbëdhjetë kallëzime penale ka dorëzuar Lidhja Demokratike e Kosovës në Prokurorinë Speciale, ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe vartësve të tij në detyrë, që janë bërë deputetë, përfshirë edhe një zëvendësministre.

Këto kallëzime penale u dorëzuan nga dy deputetet e këtij subjekti politik, Hykmete Bajrami e Doarsa Kica-Xhelili, kjo e fundit si koordinatore e grupit të juristëve të kësaj partie që i hartuan këto kallëzime penale.

Sipas Bajramit, që nga data 27 mars kryeministri e ministrat në detyrë janë në kundërshtim me nenin 26 të Ligjit për Qeverinë, që sipas Bajramit e miratuan vetë Vetëvendosje në vitin 2022.

Ajo thotë se ata që janë në poste qeveritare e njëkohësisht deputetë, kanë konsumuar vepër penale e sanksionuar me Kodin e Procedurës Penale.

“Ne konsiderojmë dhe besojmë se që nga data 27 mars këta janë në kundërshtim me nenin 26 të Ligjit për Qeverinë i hartuar e i miratuar nga votat e deputetëve të LVV-së në mandatin e kaluar, në vitin 2022. Duke qenë se prej datës së certifikimit deri më sot vazhdojnë të qëndrojnë në zyrat e ministrive, duke marrë vendime të cilat kanë pasoja financiare e pasoja të tjera, e duke shfrytëzuar resurset e institucioneve, këta deputetë kanë konsumuar vepër penale e sanksionuar kjo me nenin 414 të Kodit të Procedurës Penale andaj edhe kemi dorëzuar këto kallëzime penale”.

Bajrami tha para gazetarëve, me të dalë nga Prokuroria Speciale se neni 26 i Ligjit për Qeverinë thotë se anëtari i qeverisë në detyre në rast se zgjidhet deputet në Kuvendin e  Republikës së Kosovës, i njëjti duhet të japë dorëheqje një ditë para datës së certifikimit. “Këta kanë thënë që kanë dhënë dorëheqje ndërkohë vazhdojnë të qëndrojnë në zyra e të marrin vendime”, tha ajo.

Ka treguar se disa nga ministritë u kanë dhënë qasje në dokumente zyrtare e disa të tjerë jo, por sipas Bajramit tash është në dorën e Prokurorisë Speciale të kërkojë qasje në të gjitha vendimet.

E pyetur nëse do të merrnin pjesë në një takim të mundshëm të thirrur nga presidentja, siç e ka kërkuar PDK-ja një ditë më parë, Bajrami tha se jemi të hapur të jenë prezent në takime për të nxjerrë vendin nga ngërçi. “Krejt varet për çka ftohet takimi, çfarë qëllimi do të ketë, nuk mund  të jap përgjigje në pyetje hipotetike. Por, propozimi ka qenë që të gjitha partitë parlamentare të mblidhen diku për t’i dhënë zgjidhje ngërçit politik. Nuk e kemi bërë për protagonizëm, sepse nuk na ka takuar si partia e tretë, por e kemi bërë për shkak të përgjegjësisë që marrim”, tha Bajrami.


Go to TOP