LDK finalizon përgatitjet për hapjen e madhe të fushatës zgjedhore

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një takim të rëndësishëm me Kryesinë dhe Kryetarët e Degëve, ku janë finalizuar orari elektoral, agjenda zgjedhore dhe përgatitjet për hapjen e madhe të fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit. Në këtë mbledhje, u konfirmua formimi i shtabit elektoral dhe u përcaktuan hapat strategjikë për një organizim të suksesshëm gjatë gjithë procesit zgjedhor.

Në fjalën e tij, kryetari Abdixhiku vlerësoi unitetin dhe momentumin pozitiv që mbizotëron në LDK, duke falënderuar strukturat për përkushtimin e treguar gjatë ‘Turneut të Ndryshimit’. Ai theksoi se ky është një moment historik për Kosovën dhe bëri thirrje për angazhim maksimal në këtë periudhë të rëndësishme.

“Besimi ynë është se ndryshimi është i pashmangshëm. LDK-ja e bashkuar dhe e përkushtuar është e gatshme të sjellë ndryshimin e madh më 9 shkurt,” deklaroi Abdixhiku.

Ai siguroi se LDK-ja do të vazhdojë të punojë për forcimin e mbështetjes dhe konsolidimin si alternativa e vetme për një të ardhme më të mirë për Kosovën. /Kosova.info/


Go to TOP