LDK dënon sulmin ndaj Armend Zemajt: Akt i papranueshëm që cenon institucionet demokratike

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër pas incidentit të ndodhur sot gjatë një interviste publike, ku deputeti i saj, Armend Zemaj, është ofenduar dhe sulmuar fizikisht. Në reagimin për medie, LDK e ka cilësuar këtë ngjarje si akt të papranueshëm dhe cenim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë së një përfaqësuesi të zgjedhur të popullit.

“Ky akt është i papranueshëm dhe përbën cenim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë personale të një përfaqësuesi të zgjedhur të popullit e të LDK-së dhe ndaj vetë integritetit të institucioneve demokratike të vendit”, thuhet në reagimin e partisë.

LDK ka theksuar se sulmet, qoftë verbale apo fizike, ndaj zyrtarëve dhe përfaqësuesve të saj përbëjnë sulm ndaj dinjitetit institucional dhe kulturës demokratike mbi të cilën ndërtohet shteti.

Partia ka shprehur solidaritet të plotë me deputetin Zemaj dhe ka kërkuar nga organet e rendit që të sqarojnë me përgjegjësi të plotë rrethanat e ngjarjes.

“Për LDK-në, respekti ndaj institucioneve dhe përfaqësuesve të tyre është respekt ndaj vetë shtetit dhe rendit demokratik. Kultura e debatit, e respektit dhe e dinjitetit duhet të mbizotërojë në jetën publike”, përfundon reagimi. /Kosova.info/


Go to TOP