​Lazio refuzon ofertën e Interit për Rovella, përfshihej edhe Asllani

Lazio ka refuzuar një ofertë të rëndësishme nga Interi për mesfushorin italian Nicolò Rovella. Sipas raportimeve nga ‘FootballItalia’ zikaltrit i ofruan 35 milionë euro plus huazimin me detyrim blerjeje të mesfushorit shqiptar Kristjan Asllani, por klubi nga Roma nuk pranon të shesë lojtarin për më pak se klauzola e tij prej 50 milionë eurosh.

Nuk është ende e qartë nëse Rovella është pjesë e planeve të Interit si zëvendësues i mundshëm për Hakan Çalhanoğlu, i cili po përflitet për një transferim te Galatasaray.

Pavarësisht ofertës së rëndë të Interit, Lazio qëndron e palëkundur: vetëm pagesa e plotë e klauzolës mund të sjellë largimin e Rovellës nga “Olimpico”.

Në këtë situatë, Lazio përballet edhe me vështirësi të tjera në merkato. Organizata mbikëqyrëse e financave në futbollin italian, COVISOC, mund të bllokojë operacionet e merkatos verore të klubit për arsye financiare.

Trajneri Maurizio Sarri pritet të diskutojë publikisht për këtë situatë pas përfundimit të fundjavës.

Ndërkohë, Interi është kualifikuar në fazën e 1/16 të Kupës së Botës për Klube, ku do të përballet me ekipin brazilian Fluminense.


Go to TOP