Lajçak mbërrin në Qeveri, një zyrtar del e pret para Kurtit

Përfaqësuesi special i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka mbërritur në Qeveri për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Mediat u lejuan të marrin vetëm pamje në oborrin e Qeverisë, kryeministri Kurti nuk shihet te shkallët. Para tij aty doli një zyrtar nga Zyra e Kryeministrit.

Nga krerët e institucioneve, Kurti mund të jetë nikoqiri i vetëm i diplomatit sllovak, i cili do të qëndrojë në Kosovë deri të mërkurën.

Presidentja Vjosa Osmani po qëndron në Singapor. Ajo udhëtoi të premtën drejt Azisë Juglindore, duke shkuar fillimisht në Tajlandë.

Nga Presidenca thanë se “Presidentja sapo ka nisur vizitën në Singapor”, pa treguar nëse ajo do të kthehet në Kosovë dhe nëse do të takohet me emisarin Miroslav Lajçak.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme nuk kanë qenë të qasshëm për t’iu përgjigjur gazetës nëse ministrja Donika Gërvalla do ta takojë emisarin Lajçak.

Të paqasshëm ishin edhe në Kabinetin e Kryetarit të Kuvendit dhe në Drejtorinë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun. Kuvendi gjithashtu nuk ka lëshuar ndonjë njoftim se emisari Miroslav Lajçak do të pritet në takim nga kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Pas takimit me Kurtin, Lajçak pritet të takohet me liderët e partive opozitare.

Go to TOP