Lajçak i shqetësuar- Çfarë i thanë emisarit të BE-së në veri të Mitrovicës?

“Ajo çka dëgjova më shqetësoi”, tha emisari i BE-së, Miroslav Lajçak pas vizitës në Veri të Kosovës, ndërkaq kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi tha se Kosova do të dërgojë informata në BE për situatën atje. Ai shtoi se këto informata Lajçakut do duhej t’ia dërgonte EULEX-i.

Gjatë javës që lamë pas, emisari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka qenë në Kosovë e më pas në Serbi. Gjatë vizitës në Veri, ai tha se ka dëgjuar disa gjëra për të cilat u shqetësua.

Ndër të tjerash, ai deklaroi se ka ritheksuar nevojën për të shmangur çdo mundësi përshkallëzimi duke kërkuar përqendrim të plotë në normalizim.

“Më pas vazhdova vizitën në veri të Kosovës për t’u takuar me bashkëbisedues të ndryshëm nga shoqëria civile dhe partitë politike dhe për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit. Fatkeqësisht, ajo që dëgjova më shqetësoi. Prandaj, ritheksova nevojën për të shmangur çdo mundësi përshkallëzimi dhe përqendrim të plotë në normalizimin”, ka thënë emisari i BE-së.

Pas takimit me Petkoviqin, dje Bislimi tha se e ka informuar Lajçakun për problemet që janë hasur “në mënyrë unilaterale” nëpër disa ndërtesa në veri. Për këtë Bislimi tha se do të dërgojnë informata nga Kosova, të cilat sipas tij është dashur të dërgohen nga EULEX-i.

“Ne kemi informuar z. Lajcak për problemet që janë hasur në mënyrë unilaterale nëpër disa ndërtesa në veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan e për të cilat ka munguar reagimi i BE-së. Arsyetimi ka qenë se nuk kanë informata të mjaftueshme, por unë mendoj që kjo do të zgjidhet shumë shpejt pas dërgimit të informatave nga ana e Kosovës për arsye se ne besojmë se EULEX-i duke qenë prezent në Kosovë, është dashur që të gjitha këto informata t’ia bart zotit Lajcak”, tha Bislimi.

Bislimi shprehu frikën se mesazhi që po dërgohet është i kundërt më atë që dëshirohet. Sipas tij kur thonë që inaugurimi i kryetarëve mund të shkaktojë tensione, dikush mund ta kuptojë si ftesë për tensione.

“Unë kam frikë se mesazhi që po dërgohet është i kundërt me atë që dëshirohet. Për aq kohë sa ne themi se inaugurimi i kryetarëve mund të shkaktojë tensione, dikush mund ta kuptojë këtë si ftesë për tensione. Në njëfarë mënyrë sikur ftesë që nëse doni ta pengoni këtë, duhet të krijoni tensione dhe mendojmë se kjo është shumë e rrezikshme dhe e panevojshme në këtë fazë”, u shpreh Bislimi pas takimit me Petkoviqin.

Kujtojmë që në katër komunat në Veri më 23 prillit janë mbajtur zgjedhjet, të cilat u bojkotuan nga Lista Serbe, pasi të njëjtit kërkuan krijimin e asociacionit dhe largimin e Policisë së Kosovës nga veriu. Në këto komuna fituan katër kandidatët shqiptarë, betimi i të cilëve pritet të bëhet deri më 28 maj, përndryshe ata humbasin mandatin dhe shpallen zgjedhjet e reja.

Go to TOP