Lajçak: Duhet të përshpejtojmë zbatimin e marrëveshjes

Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, pas takimit me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, është deklaruar para mediave.

Ai ka thënë se në takim është diskutuar lidhur me hapat konkret që duhen ndërrmarë në bisedimet Prishtinë-Beograd.

“Fokusi i vizitës sime sot në Prishtinë dhe nesër në Beograd është të diskutojmë se çfarë hapash konkretë do të ndërrmarim në procesin e normalizimit, sigurisht kemi marrëveshje dhe duhet ta përshpejtojmë zbatimin e saj, dhe kjo ishte një nga çështjet e para që diskutuam me zotëri Bislimin. Dhe çështja e dytë ka të bëjë më planin e rritjes që është një instrument i ri financiar i BE-së që po ofrohet me 6 miliardë euro investime, por për Kosovën dhe Serbinë ky disbursim i fondeve është i kushtëzuar me angazhimin konstruktiv në dialog dhe jam unë ai që do ta bëj vlerësimin për konstruktivitetin”, tha Lajçak.

Tutje i pyetur lidhur me heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës dhe raportin e dërguar nga Josep Borrell Lajçak tha se raporti diskutohet nesër.

“Për aq sa di unë, ky raport do të diskutohet nesër në Komitetin për Politikë dhe Siguri dhe kjo varet nga rezultati i diskutimit”, theksoi emisari i BE-së.

Ai konfirmoi se do ta mbajë detyrën e emisarit deri në fund të janarit sepse sipas tij kjo gjë i është kërkuar.

Ndërkohë lidhur me çështjen e hapjes së Urës së Ibrit, Lajçak tha se ura duhet të hapet por të bëhet në një mënyrë që nuk përshkallëzon situatën në terren.

“Do të duhet të diskutohet me njërëz që prekën nga kjo. Kam ofruar mundësinë që kjo të bëhet në dialogun tonë, që të bëhet me frymë të mirë, të një atmosphere të mirë”, theksoi Lajçak.

Go to TOP