Kuvendi Komunal mban mbledhje të jashtëzakonshme/ Sami Ahmeti zgjedhet kryesues
Kuvendi i Komunës së Obiliqit u mblodh sot në një seancë të jashtëzakonshme konstituive, ku mori pjesë edhe kryetari i komunës, Halil Thaçi. Seanca u hap nga Sami Ahmeti, i cili prezantoi rendin e ditës dhe udhëhoqi procedurat fillestare, shkruan Kosova.info.
Gjatë mbledhjes u zhvillua procesi i votimit për kryesuesin e ri të Kuvendit. Me 11 vota pro dhe asnjë kundër, kryesues u zgjodh Sami Ahmeti.
Seanca u shoqërua edhe me largime nga disa grupe politike. Përfaqësuesit e AAK-së dhe Listës Serbe u larguan para votimit. Në anën e LDK-së qëndruan vetëm dy anëtarë, ndërsa pjesa tjetër e grupit u largua nga salla.
Kryetari Thaçi e uroi kryesuesin e ri dhe theksoi se Kuvendi duhet të funksionojë me bashkëpunim, transparencë dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve.
Zyra për Informim e Komunës së Obiliqit bëri të ditur se seanca u mbyll pas përfundimit të të gjitha pikave të rendit të ditës./Kosova.info/
