Kushtetuta e Kosovës – 17 vjet shtetësi

Pikërisht sot janë bërë 17 vjet nga ratifikimi i aktit më të lartë juridik, Kushtetutës së Kosovës. Qysh nga 9 prilli i vitit 2008, Republika jonë e ka Kushtetutën si aktin më të lartë për një shoqëri demokratike, të drejtë dhe të barabartë.

E ratifikuar sot 17 vjet më parë, Kushtetuta e Republikës së Kosovës hyri në fuqi më 15 qershor të po atij viti. Si akti më i lartë juridik i një vendi, Kushtetua garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve.

Kuvendi i Kosovës, si organ ligjvënës i institucioneve të vetëqeverisjes, në vitin 2007 kishte pranuar një plan të paraqitur nga ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, për pavarësinë e Kosovës. Rrjedhimisht nga ky plan dolën edhe dispozitat kryesore për kushtetutën e shtetit më të ri.

Konfrontim mendimesh e propozimesh mbi përmbajtjen e terminologjinë, pati shumë përgjatë hartimit. Vendorët insistonin, ndërkombëtarët kundërshtonin.

Nëpër vite, Kushtetuta është respektuar në shumicën e rasteve, megjithatë në historinë e saj të re shtetërore, vendi njeh plot raste kur ajo u shkel. Janë disa ligje të miratuara në Kuvend nga legjislatura e fundit, që tashmë janë shpallur antikushtetuese, ndër to Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar dhe Ligji për Këshillin e Pavarur të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil.

Raste të tilla, thotë profesori universitar, Mazllum Baraliu, kanë rrezikuar balancën e pushtetit dhe funksionimin e shtetit të së drejtës. Por, shton se edhe vet Gjykata Kushtetuese, në disa raste ka marrë vendime të kontestueshme.

“Vendimi për faljen e 24 hektarëve të manastirit të Deçanit që absolutisht ka pasur kundërshti dhe argumente edhe nga komunitetit juridik dhe opinion publik, ose vendimi për punonjësit të fabrikës së gypave në Ferizaj, ku ndër të tjera gjykata paraqitet edhe si gjykatë civile, që nuk është në domenin e saj”, thotë Baraliu.

Është koha për të rishkruar Kushtetutën e Kosovës, shton Baraliu, referuar të drejtave specifike të grupeve minoritare, që burojnë nga kushtetuta aktuale, për një qasje të barabartë për të gjithë.

“Të shkruhej edhe një herë kjo kushtetute, që të hiqen ato pjesë që e kanë penguar, në mënyrë që të shkruhet një kushtetute më e fortë që i reziston kohës”, tha Baraliu.

Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se duhet ta riafirmojmë përkushtimin për ta mbrojtur Kushtetutën, për ta zbatuar me përpikëri, dhe për ta jetësuar në çdo vendim, politikë e veprim. Një shtet që i përmbahet dhe e respekton germën dhe frymën e Kushtetutës është garantues i një të ardhmeje të sigurt dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e tij, tha Osmani.

Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se të gjithë pa dallim, e kemi obligim ta mbrojmë, ta forcojmë dhe zbatojmë Kushtetutën, jo vetëm si dokument, por si udhërrëfyes të përbashkët për një shtet funksional, të zhvilluar dhe demokratik. Krasniqi shtoi se kushdo që e përbuz Kushtetutën, nuk e sfidon vetëm ligjin, por e mohon vetë idenë e shoqërisë ku sundon e drejta, dhe e vendos veten përballë qytetarit, përballë shtetit dhe përballë historisë?.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke uruar qytetarët e vendit në ditën e Kushtetutës, ka thënë se shkeljet e përsëritura dhe sulmet e drejtpërdrejta kundër Gjykatës Kushtetuese, janë sinjal i qartë i praktikave që e rrënojnë rendin demokratik dhe e largojnë shtetin nga parimet mbi të cilat është ndërtuar.


Go to TOP