Kusari-Lila: Nuk kemi kërkuar votë nga Lista Serbe për Ligjin për pagën minimale

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka hedhur poshtë akuzat se kanë kërkuar votat e Listës Serbe për Projektligjin për pagën minimale.

Në një konferencë për media, Kusari-Lila ka thënë se Grupi Parlamentar i VV-së i ka pasur votat për ta votuar këtë projektligj dhe se nuk ka pasur nevojë për votat e Listës Serbe.

Kjo e fundit sipas saj është rreshtuar me opozitën dhe arsyeja pse ka votuar sot për rritjen e pagës minimale është për t’i dhënë konotacion negativ votimit.

“Ne nuk ja kemi kërkuar Listës Serbe ta votojë projektligjin dhe ata kanë qenë të rreshtuar me opozitën. Arsyeja se përse Lista Serbe sot ka ardhur dhe ka votuar për projektligjin është sa për t’ia dhënë votimit konotacionin negativ që tash po përcjellet prej shoqatës së veteranëve dhe partive të tjera opozitare”, ka thënë ajo.

Kusari-Lila po ashtu ka hedhur poshtë akuzat e partive opozitare për largimin e veteranëve të OVL-UÇK-së nga paga minimale.

Ajo ka thënë se veteranët nuk janë larguar nga ligji i pagës minimale meqë deri në fund të vitit qeveria do ta bëjë trajtimin e skemës së pensioneve.

“Veteranët nuk janë përjashtuar nga ligji për pagën minimale. Ligji është miratuar për pagën minimale të sektorit privat. Ndarja e pensionit të veteranit është bërë në vitin 2016 nga qeveritë paraprake dhe ligjshmëria në pagën minimale është ndarë në atë kohë. Kësaj radhe në trajtim ashtu siç e dini nga Qeveria e Kosovës edhe në dialogun e Këshillit ekonomiko-social është diskutuar vetëm për sektorin privat”.

Me 68 vota për, asnjë kundër dhe gjashtë abstenim deputetët e Kuvendit të Kosovës sot kanë miratuar në parim Projektligjin për Pagën Minimale.

Projektligji parasheh ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Go to TOP