Kurti: Viti 2025 i suksesshëm, 2026 nis me prioritet për qytetarët dhe ekonominë
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka përshëndetur qytetarët me rastin e ndërrimit të vitit duke përmbledhur arritjet e vitit 2025 dhe planet për vitin 2026. Ai theksoi se Kosova ka kaluar një vit zgjedhjesh të lira dhe të rregullta duke u konfirmuar si shembull i demokracisë në rajon.
“Katër palë zgjedhje, përfshirë raundin e balotazhit në 17 komuna, u zhvilluan pa incidente dhe me rezultate të pranuara nga të gjithë. Kosova më nuk ka nevojë ta kalojë testin e demokracisë”, deklaroi Kurti.
Viti 2025 solli njohje të reja ndërkombëtare, përmirësim të mbështetjes për nënat lehona, pensionistët dhe studentët, si dhe forcim të Ushtrisë së Kosovës përmes pjesëmarrjes në Defender Europe 25 dhe furnizimeve nga vende partnere dhe anëtare të NATO-s. Rend dhe ligj mbizotëruan në të gjithë territorin, ndërsa masat padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës u hoqën.
Për vitin 2026, Kryeministri Kurti premton angazhim të madh duke përfshirë:
Miratimin e buxhetit për vitin 2026 prej 4 miliardë euro dhe ligjit për çmimet tavan të produkteve bazë;
Pagën e 13-të për shërbyesit publik, në fillim të vitit;
Heqjen e kufizimit të punësimit për veteranët e UÇK-së;
Miratimin e Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0 në vlerë prej 200 milionë euro, përfshirë fëmijët, pensionistët, studentët dhe punëtorët e sektorit privat.
Kurti uroi qytetarët për një Vit të Ri të sigurt dhe të begatë duke theksuar përkushtimin e qeverisë për siguri, zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë. /Kosova.info/
