Kurti takohet me ambasadorin francez, flasin për situatën në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ritheksuar se bojkoti i serbëve në veri është nxitur dhe orkestruar nga Beogradi.

Kurti gjatë takimit me ambasadorin e Francës në Kosovë, Oliver Guerot dhe zëvendësdrejtorin nga Ministria për Punë të Jashtme dhe Evropë, Sylvain Guiaugue, ka folur për çështjen e sigurisë në Kosovë, por edhe për liberalizimin e vizave.
Kurti ka thënë se Serbia është pala destruktive në dialogun e ndihmuar nga Brukseli.

“Kryeministri Kurti i theksoi suksesin e arritur në procesin e Berlinit përmes nënshkrimit të tri marrëveshjeve, që është lajm i mirë për qytetarët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai i njoftoi miqtë francezë me mbarëvajtjen e punës së institucioneve, situatën e sigurisë në përgjithësi, me theks në pjesën veriore të Kosovës, përkushtimin për Agjendën e Reformave Evropiane dhe përsëriti urgjencën për mbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. U diskutua edhe për zhvillimet e ditëve të fundit. Kryeministri Kurti tha se bojkoti është i nxitur dhe orkestruar nga Beogradi zyrtar dhe është rezultat i veprimeve të tyre të vazhdueshme destruktive në dialogun ndërmjet dy vendeve. Ai ritheksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për ta vazhduar dialogun dhe e angazhuar për rend dhe sundim të ligjit, paqe e siguri në Kosovë dhe rajon”, thuhet nga Zyra e Kryeministrit.

Go to TOP