Kurti publikon hartën e rezultateve zgjedhore: Udhërrëfyes për përgatitjet në zgjedhjet lokale

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas certifikimit zyrtar të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare duke publikuar një hartë që paraqet renditjen dhe përqindjet e subjekteve politike nëpër komuna të Kosovës.

Përmes një postimi, Kurti ka theksuar se kjo hartë duhet të shërbejë si udhëzues dhe analizë për përgatitjet që subjektet politike, e veçanërisht Lëvizja Vetëvendosje, duhet të bëjnë në prag të zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në vjeshtë.

“Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare, kështu duken renditjet dhe përqindjet e subjekteve nëpër komuna. Kjo hartë duhet të na shërbejë në përgatitjet për zgjedhjet lokale në vjeshtë”, ka shkruar Kurti duke lënë të nënkuptohet se analiza e rezultateve të fundit do të jetë bazë për strategjinë e ardhshme elektorale.

Publikimi i kësaj harte vjen në një moment kur partitë politike tashmë kanë filluar të mobilizohen për garën e radhës, duke synuar që të ruajnë ose të përmirësojnë pozitat e tyre në pushtetin lokal. /Kosova.info/


Go to TOP