Kurti ngushëllon për ndarjen nga jeta të gazetarit slloven Iztok Tory: Kosova do t’i jetë mirënjohëse përgjithmonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të gazetarit dhe regjisorit slloven, Iztok Tory, i cili dokumentoi grevën historike të minatorëve të Trepçës në shkurt të vitit 1989.

Në një reagim publik, Kurti theksoi rolin e Toryt në përçimin e së vërtetës dhe fuqizimin e rezistencës politike të shqiptarëve në atë kohë. “Guximi dhe profesionalizmi i Iztok Toryt për dokumentimin e grevës së minatorëve të Trepçës përçoi fuqishëm rezistencën politike të popullit shqiptar në tërë Jugosllavinë, duke e tronditur opinionin publik,” shkroi ai.

Kurti veçoi edhe rëndësinë e librit të Toryt, “Zogjtë në Kosovë”, një dëshmi dokumentare me vlerë historike për ngjarjet e vitit 1989 në Kosovë. Ai shtoi se Kosova do t’i jetë përgjithmonë mirënjohëse gazetarit slloven për kontributin e tij në pasqyrimin e së vërtetës.

Në fund, kryeministri u shprehu ngushëllime familjes, kolegëve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur dhe kanë bashkëpunuar me të. /Kosova.info/


Go to TOP