Kurti nga Davosi: Opozita refuzoi bashkëpunimin, zgjedhjet e reja ishin pasojë – jo dëshira jonë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nga Davosi i Zvicrës ka deklaruar se zgjedhjet e reja nuk ishin zgjedhje e tij, por pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së bashkëpunimit nga opozita. Në një bisedë me Rory Stewart, Kurti ka thënë se përkundër përpjekjeve të shumta për të formuar institucionet, opozita refuzoi çdo alternativë.

“Para së gjithash, nuk shkuam në zgjedhje të reja pse donim. Ky nuk ishte qëllimi ynë, por ishte pasojë e mungesës së bashkëpunimit me opozitën”, tha Kurti.

Ai kujtoi se Vetëvendosje fitoi 42.3 për qind të votave në zgjedhjet e shkurtit, por ky rezultat nuk ishte i mjaftueshëm për të formuar qeverinë e vetme. Sipas tij, u bënë përpjekje serioze për bashkëpunim me partitë opozitare.

“Provuam gjithçka. Provuam të takoheshim me një apo dy parti politike opozitare”, u shpreh Kurti.

Në këtë kontekst, ai përmendi Lidhjen Demokratike të Kosovës, për të cilën tha se nuk pranoi fare takim me të, si dhe ambicien e Fatmir Limajt për postin e kryeparlamentarit, pavarësisht se kishte vetëm tre deputetë në Kuvend.

“Njëra parti nuk donte të takoheshim fare, ndërsa njëra tjetër e dëshironte postin e kryeparlamentarit me vetëm tre deputetë”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se opozita refuzoi edhe emrin e propozuar nga Vetëvendosje për kryeparlamentar, pavarësisht se ai u zëvendësua disa herë. Sipas Kurtit, edhe kur propozoi Glauk Konjufcën për kryeparlamentar, duke u tërhequr vetë nga ky post dhe duke pranuar të ishte zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, opozita sërish refuzoi.

“Prapë thanë jo”, theksoi ai.

Kurti vlerësoi se këto refuzime e bënë të pashmangshme shkuarjen në zgjedhje të reja, ndonëse, siç tha, ai personalisht nuk i dëshironte ato.

“Përgjatë vitit 2025 ishte e qartë për njerëzit se nuk kishim qeveri jo pse nuk fituam zgjedhjet, por sepse askush nuk donte të bashkëpunonte me ne”, tha Kurti.

Ai shtoi se nëse do të kishte qenë ai shkaktari i zgjedhjeve të reja, qytetarët do ta ndëshkonin politikisht, por sipas tij rezultati i mirë elektoral dëshmon të kundërtën.

“Unë nuk doja zgjedhje të reja, por nëse zgjedhjet ishin aty, më mirë të isha gati. Kështu që kishte pasoja nga mosbashkëpunimi i opozitës”, përfundoi Kurti. /Kosova.info/


Go to TOP